Shkolla e Magjistraturës, me mbështetjen e projektit CEDI të Ambasadës Britanike në Tiranë, më datat 12 dhe 13 janar 2026, zhvilloi dy sesione trajnuese të modulit “Regjimi juridik i tatimit mbi fitimin dhe TVSH-së në Republikën e Shqipërisë”, ku u trajtuan temat: “Njohja me kuadrin ligjor shqiptar në lidhje me tatimin mbi të ardhurat. Tatimi mbi të ardhurat personale, tatimfitimi i bizneseve, tatimi në burim, transaksionet mes palëve të lidhura dhe transferimi i çmimit. Krahasime me legjislacionin dhe praktikat Evropiane. Raste praktike nga Gjykata Administrative”, si dhe “Kuptimi dhe interpretimi i marrëveshjeve ndërkombëtare për eliminimin e taksimit të dyfishtë. Rezidenca tatimore, taksimi i dyfishtë, metodat për eliminimin e taksimit të dyfishtë. Konflikte gjyqësore për zbatimin e këtyre marrëveshjeve – raste nga gjykata administrative.”.
Këto aktivitete trajnuese u drejtuan nga:
Ekspertë: Fatmir Kazazi, Enerjeta Shehaj, Antoneta Sevdari
Lehtësues: Adrian Shega, Klarent Demiri
Qëllimi i këtij moduli trajnimi është: është forcimi i njohurive teorike dhe praktike të magjistratëve dhe avokatëve të shtetit mbi regjimin juridik të tatimit mbi fitimin dhe TVSH-së në Republikën e Shqipërisë, me fokus në kuadrin ligjor dhe nënligjor përkatës, interpretimin e tij nga praktika administrative dhe gjyqësore, si dhe në trajtimin e çështjeve komplekse fiskale. Moduli synon të rrisë aftësitë e pjesëmarrësve për të analizuar dhe zgjidhur mosmarrëveshjet tatimore në mënyrë të njëtrajtshme, të argumentuar dhe në përputhje me standardet e ligjshmërisë, sigurisë juridike dhe mbrojtjes së interesit publik.
Sesionet trajnuese u realizuan duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.
Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë shteti të Republikës së Shqipërisë.





Shkolla e Magjistraturës